Çfarë Janë Konstelacionet?

Mëso më shumë rreth konstelacioneve dhe teknikës që përdoret.

"Shpesh udhëtimi më i gjatë është më i miri sepse qëllimi është vetë udhetimi, jo destinacioni që i kemi venë qëllim vetes"

Konstelacionet Sistemike Familjare

Konstelacionet Sistemike Familjare, të krijuara nga Bert Hellinger, janë një metodë e thellë eksplorimi dhe transformimi që ndihmon për të sjellë në dritë dinamikat e fshehura brenda sistemit familjar.
Shpesh, pa e kuptuar, mbartim brenda nesh emocionet, fatet dhe peshat e atyre që kanë ardhur para nesh.
Konstelacionet na ndihmojnë t’i njohim këto lidhje të padukshme, t’i nderojmë dhe t’i lëmë në vendin e tyre, duke na çliruar për të jetuar jetën tonë me plotësisht

Çdo njeri është pjesë e një sistemi më të gjerë — familja, brezat që kanë ardhur më parë, përvojat dhe zgjedhjet e tyre.
Për të kuptuar kush jemi dhe pse jetojmë disa situata, duhet të shikojmë nga e kaluara: historitë, plagët dhe dashuritë e paraardhësve tanë vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, derisa të shihen dhe të pranohen.

Duke zgjidhur konfliktet midis brezave, shpirti ynë evoluon/emancipohet, besimet tona ndryshojnë, emocionet tona ndryshojnë dhe gjithçka shfaqet në veprime të ndërgjegjshme të diktuara nga zgjedhje rreptësisht personale që i lejojnë personit të jetojë më në fund jetën e tij me sukses.
Kur ajo që ka qenë e pazgjidhur gjen më në fund paqe, ne mund të ecim në të tashmen me lehtësi dhe autenticitet.

Origjina dhe themelet e metodës

Bert Hellinger, fillimisht prift dhe më vonë psikoterapist, zhvilloi këtë metodologji pas dekadash pune dhe vëzhgimi me familje dhe grupe në mbarë botën. Qasja e tij lindi nga ndërthurja e disa rrymave psikologjike dhe shpirtërore: psikologjia klasike dhe psikoterapia (Jung, Freud, Adler), psikodrama e Moreno-s, hipnoza ericksoniane e Milton Erickson-it dhe teoria e fushave sistemike.
Ai u frymëzua gjithashtu nga psikogjenealogjia e Anne Ancelin Schützenberger dhe studimet e Alejandro Jodorowsky.

Konstelacionet Familjare mbështeten në disa parime universale:

  1. Familja si një sistem i gjallë
    Familja nuk është një grup individësh të ndarë, por një organizëm i ndërlidhur.
    Çdo anëtar ndikon dhe ndikohet nga të tjerët, dhe ajo që mbetet e pazgjidhur në një brez shpesh përsëritet në brezat që vijnë.
  2. Lidhja ndërbrezore
    Shumë vështirësi të së tashmes kanë rrënjë në përvojat, dhimbjet ose traumat e paraardhësve tanë.
    Edhe nëse nuk i kemi përjetuar vetë, ato mund të veprojnë brenda nesh përmes emocioneve, besimeve ose fatit që përsëritet.
    T’i shohësh dhe t’i njohësh këto lidhje ndihmon për të çliruar besnikëritë e pavetëdijshme dhe për t’ia kthyer secilit fatin e vet.
  3. Përkatësia, rendi dhe ekuilibri, që Hellinger i quajti Rendet e Dashurisë
    Çdo person ka të drejtë të përkasë në sistemin e tij familjar dhe të njihet për vendin e tij.
    Kur dikush përjashtohet, harrohet ose mohohet, sistemi humbet ekuilibrin dhe ky çrregullim mund të shfaqet tek pasardhësit.
    Puna me konstelacionet rikthen harmoninë natyrore, duke i dhënë çdo anëtari vendin që i takon dhe duke rivendosur rrjedhën e dashurisë.
  4. Fusha Morfike – kujtesa e padukshme e sistemit
    Sipas teorisë së biologut Rupert Sheldrake, çdo sistem i gjallë ka një fushë energjie që ruan kujtesën dhe informacionin e tij.
    Në konstelacione, kjo fushë bëhet e dukshme përmes ndjesive dhe emocioneve të përfaqësuesve, të cilët hyjnë në kontakt me informacione që tejkalojnë mendjen logjike.
    Është një fushë ndërgjegjeje që përmban gjithçka që ka ndodhur në sistem dhe e bën të dukshme atë që kërkon të njihet e të shërohet.

Fusha Familjare dhe Ndërgjegjja e Sistemit

Çdo familje ka një “fushë të informuar”, një kujtesë kolektive që kalon përmes brezave dhe ruan ngjarjet, emocionet dhe fatet e saj.
Kjo fushë vepron brenda nesh, shpesh në heshtje, duke ndikuar në zgjedhjet, marrëdhëniet, frikërat ose simptomat tona.
Kur hyjmë në kontakt me këtë fushë përmes punës me konstelacionet, mund të njohim atë që nuk i përket më të tashmes dhe t’ia kthejmë me dashuri të kaluarës.

Në këtë mënyrë, individi rifiton lirinë e tij të brendshme.
Dhe kur ndryshon një individ, e gjithë pema familjare fillon të marrë frymë ndryshe.

Zbatimet e Konstelacioneve Familjare

Konstelacionet Familjare përdoren në fusha të ndryshme të jetës personale, marrëdhënore dhe profesionale. Ato mund të jenë një rrugë shërimi, vetëdijesimi ose zhvillimi shpirtëror.

  1. Marrëdhëniet familjare dhe emocionale
    Vështirësitë me prindërit, fëmijët, partnerin apo familjen e origjinës mund të kuptohen dhe transformohen duke sjellë dritë mbi dinamikat e fshehura që i mbajnë ato gjallë.
  2. Mirëqenia emocionale dhe psikologjike
    Depresioni, ankthi, vetmia apo bllokimet emocionale shpesh kanë rrënjë në ngjarje ose lidhje të së kaluarës që nuk janë integruar. Përmes vetëdijesimit dhe pajtimit, hapet një hapësirë paqeje të brendshme.
  3. Shëndeti dhe simptomat e trupit
    Trupi shpesh shpreh atë që shpirti nuk mund ta thotë. Konstelacionet mund të ndihmojnë në eksplorimin e lidhjes midis shqetësimeve fizike dhe kujtimeve familjare, duke nxitur një proces të thellë harmonizimi.
  4. Jeta profesionale dhe organizative
    Të aplikuara në kontekste pune, Konstelacionet Sistemike ndihmojnë në kuptimin e roleve, konflikteve dhe dinamikave të fshehura në organizata, duke përmirësuar bashkëpunimin, ekuilibrin dhe lidershipin.
  5. Zhvillimi personal dhe shpirtëror
    Përtej aspektit terapeutik, konstelacionet janë një udhëtim i brendshëm evolucioni. Ato ndihmojnë në rikthimin tek rrënjët, në pranimin e jetës ashtu siç është dhe në ndjesinë e thellë të përkatësisë, ku çdo histori mund të gjejë më në fund vendin e saj.

 

Konstelacionet Familjare na ftojnë të shohim me dashuri atë që ka qenë, të lëmë pas atë që nuk na përket dhe të themi po jetës, ashtu siç është.
Nga ky po “lind” liria, paqja dhe forca për të krijuar fatin tonë në harmoni me gjithësinë.

Video shpjeguese e Teknikës

Lidhu me Mua

Lokacioni

Tiranë, Shqipëri
Kosovë
Itali