Fekondimi in vitro – një reflektim sistemik

C’fare nuk po arrijme te shohim?

Ky shkrim lind nga një reflektim personal dhe nga puna ime sistemike.
Është interesante për mua ta rikthej sot në dorë. E kam nisur në korrik 2025 dhe kanë kaluar 9 muaj: koha e një shtatzënie.
Në një farë mënyre, edhe ky tekst ka marrë kohën e vet për të marrë formë.

Nuk është një tekst mjekësor apo shkencor dhe nuk ka për qëllim të gjykojë, fajësojë apo të vërë në diskutim zgjedhjet individuale.
Fekondimi in vitro, lindja me prerje cezariane dhe vështirësitë në konceptim janë përvoja shpesh të mbushura me dhimbje, shpresë dhe ndjeshmëri.

Reflektimet që vijojnë synojnë të ofrojnë një këndvështrim simbolik dhe sistemik, me qëllimin për të ftuar drejt ndërgjegjësimit, dëgjimit dhe përgjegjësisë emocionale, jo për të krijuar frikë apo ndjenjë faji.

Çdo histori është unike.
Pavarësisht rrugës që ka çuar një person të bëhet (apo të mos bëhet) prind, dashuria, prania dhe e vërteta kanë gjithmonë një vlerë shëruese.

Lexojini këto fjalë si një ftesë për t’u ndalur dhe për të dëgjuar, jo si një të vërtetë absolute.

Disa kohë më parë kam ndarë një mendim mbi fekondimin in vitro.
Kam marrë shumë mesazhe me kërkesa për thellim dhe për këtë arsye dëshiroj të ofroj një reflektim më të gjerë.

E zgjeroj diskutimin duke përfshirë edhe lindjen me prerje cezariane, sepse janë dy tema shumë të pranishme në shoqërinë shqiptare në këtë moment historik. Tema të tjera, si dhurimi i spermës apo nëna surrogate, meritojnë reflektime të veçanta.

Dua të sqaroj që në fillim një pikë thelbësore: nuk jam kundër fekondimit in vitro dhe as kundër mjekësisë.
Besoj thellësisht në vlerën e mjekësisë kur ajo është në shërbim të jetës. Ne jemi qenie komplekse, të përbëra nga disa nivele, dhe trupi ka nevojë për kujdes mjekësor. Ka situata ku energjia dhe spiritualiteti nuk janë të mjaftueshme dhe mjeku është thelbësor.

Nga këndvështrimi i punës sime sistemike, pyetja që më shoqëron është kjo:
çfarë përjetimesh të brendshme, emocionale dhe marrëdhënore mund të shfaqen tek këta fëmijë kur të rriten?

Kjo nuk është një pyetje për të dhënë përgjigje përfundimtare , por për të qëndruar në dëgjim.
Për të kuptuar disa procese dhe rezultatet e tyre , duhet kohë.

Vërej, veçanërisht në kontekstin shqiptar, një presion të fortë të lidhur me prindërimin.
Shumë gra ndiejnë një dëshirë të fortë për mëmësi, shpesh të ndërthurur me kalimin e moshës,  pritshmëritë familjare, një kulturë që lidh kuptimin e jetës me të qenit prind.

Fraza si “të paktën nuk do të jesh vetëm” apo “një fëmijë do të të ndihmojë kur të plakesh” mund ta kthejnë një dëshirë natyrale në një urgjencë të mbushur me frikë.

Ndonjëherë fëmija përjetohet në mënyrë të pavetëdijshme si një përgjigje ndaj një boshllëku, një zgjidhje për një marrëdhënie të brishtë, një shpresë për të shëruar plagë të pashëruara.

Kjo mund të ndodhë kur një nga prindërit nuk është emocionalisht gati, por nuk arrin ta shprehë këtë, apo kur shpresohet që një fëmijë të “rregullojë” një marrëdhënie ose t’i japë kuptim jetës.

Ndonjëherë, në jetën e përditshme, këto dinamika marrin forma shumë konkrete:

  • gra që zgjedhin të kenë një fëmijë në marrëdhënie të paqëndrueshme apo të dhimbshme, me shpresën (shpesh të pavetëdijshme) se lindja do të sjellë dashuri, stabilitet apo shërim;
  • burra që bëhen baballarë pa u ndjerë vërtet gati, duke hyrë në këtë rol më shumë nga presioni apo dinamika të marrëdhënies sesa nga një zgjedhje e ndërgjegjshme;
  • marrëdhënie ku njëri partner, në mënyrë të pavetëdijshme, shihet më shumë si “mjet” për të pasur një fëmijë sesa si person me të cilin ndërtohet një lidhje;
  • situata ku fëmija mbart që në fillim një ngarkesë emocionale të rëndësishme, të lidhur me nevoja të pashprehura apo plagë të papërpunuara të prindërve.

Nuk i shkruaj për të akuzuar, por për të sjellë vëmendje tek pesha e padukshme që një fëmijë mund të ndiejë që përpara se të lindë.

Nga këndvështrimi sistemik, elementi qendror është qëllimi.
Kur bëhemi prindër të shtyrë kryesisht nga frika, urgjenca, presioni social apo nevoja për kontroll, energjia që shoqëron lindjen është e ndryshme nga ajo që mbështetet nga dashuria, prania dhe përgjegjësia.

Kjo vlen edhe për lindjen me prerje cezariane.
Ka situata ku ajo është e domosdoshme dhe shpëton jetën, dhe në këto raste është plotësisht në shërbim të jetës.
Në raste të tjera, kur udhëhiqet kryesisht nga frika e dhimbjes apo ndryshimeve të trupit, mund të jetë e dobishme të ndalemi dhe të dëgjojmë çfarë fshihet pas kësaj zgjedhjeje.

Sipas një këndvështrimi sistemik dhe simbolik (jo mjekësor), fëmija hyn në marrëdhënie me botën që nga momenti i konceptimit.

Përvoja e fekondimit të asistuar, prania e disa embrioneve dhe përzgjedhja e tyre mund të lënë gjurmë në nivel të pavetëdijshëm. Kjo nuk do të thotë dëmtime të pakthyeshme, por informacione që mund të integrohen me kalimin e kohës përmes marrëdhënies, pranisë, së vërtetës dhe dashurisë.

Në këtë kontekst flitet edhe për të ashtuquajturit “binjakë të zhdukur”, një temë delikate që meriton një hapësirë më vete.

Një pyetje e shpeshtë është: pse gjithnjë e më shumë njerëz kanë vështirësi të kenë fëmijë?
Stili i jetesës ka padyshim një rol, por nga këndvështrimi sistemik shpesh shfaqen edhe dinamika më të thella.

Kur një fëmijë nuk vjen, mund të ketë një kombinim faktorësh të dukshëm dhe të padukshëm që kërkojnë dëgjim.

Në nivel sistemik mund të shfaqen, për shembull:

  • frikëra të trashëguara që lidhen me humbje traumatike të fëmijëve në brezat e mëparshëm;
  • përvoja dhune apo abuzimi të përjetuara nga gratë e sistemit;
  • trauma të lidhura me luftëra, humbje apo histori të pathëna.

Ndonjëherë këto dinamika, edhe kur nuk njihen në mënyrë të vetëdijshme, lënë gjurmë në sistemin familjar.

Për ta bërë më konkrete, ja disa shembuj:

  • në familje ku ka pasur humbje të dhimbshme të fëmijëve (ne brezat e kaluar) , mund të mbetet një frikë e thellë dhe e padukshme ndaj dhenies te jetës, sikur ne nivel te pavetdijes themi “me mire mos te rrezikoj”.
  • në sisteme të shënuara nga luftëra apo dhunë, histori të pathëna mund të vazhdojnë të ndikojnë brezat e ardhshem;
  • kur gratë kanë përjetuar mungesë sigurie në marrëdhënie, abuzime, dhune me mashkullin,  trupi mund të mos ndihet plotësisht i sigurt për të pritur një shtatzëni.

Këto nuk janë rregulla, por mënyra të mundshme për të zgjeruar këndvështrimin.

Ndonjëherë, këto dinamika mund të shfaqen edhe në nivel trupor, si sinjale që ftojnë për të dëgjuar më thellë.

Shpesh janë gratë ato që kërkojnë ndihmë, por është e rëndësishme të kujtojmë se vështirësia mund t’i përkasë çiftit ose dhe  linjes atërore qe është pjesë e sistemit.
Në disa raste kam sugjeruar që t’i jepet përparësi marrëdhënies në çift përpara se të bëhen prindër. Edhe kur kushtet nuk janë ideale, ndërgjegjësimi ofron gjithmonë mundësinë për të punuar me kalimin e kohës.

Të bëhesh prind nuk do të thotë vetëm të kesh një fëmijë, por të jesh vërtet i pranishëm.
Jetojmë në një shoqëri ku shumë fëmijë dëshirohen fort, por më pas dëgjohen pak.

Prindër shpesh të munguar, të zënë me punën apo telefonin, lënë pas fëmijë që kërkojnë vëmendje përmes sjelljeve të vështira.
Shumë fëmijë lindin nga të rritur që mbartin brenda një boshllëk të pa njohur.

Për këtë arsye, të punosh me veten nuk është luks, por një përgjegjësi.

Të punosh me veten është një akt dashurie ndaj fëmijëve, ndaj brezave të ardhshëm dhe ndaj jetës.
Nuk është kurrë vonë për të filluar.

Dhe lë një reflektim të hapur:
shpesh, njerëzit më të ndërgjegjshëm janë edhe ata që e ndjejnë më thellë përgjegjësinë e të bërit prind.

Migena Kadena
Te gjitha te drejtat jane te rezervuara

Artikuj të Tjerë

Migena Kadëna

Bukuria dhe madhështia e vuajtjes Ka një bukuri tragjike në lejimin e vetes për të vuajtur, edhe kur ajo që del në …

Migena Kadëna

Gjithmonë e më shumë drejtohen tek une njerëz për të afërmit me probleme psikiatrike. Konstelacionet (grupore ose individuale) nuk mund të bëhen …

Migena Kadëna

Sot dua të shpjegoj disa koncepte si: ndërbreza (intergenerazionale), transgjeneracionale (transgenerazionale), brezore (generazionale), dhe të jap disa ide mbi teknika të tjera …