Po sikur ajo që ndjejmë brenda vetes – ankthi, euforia, trishtimi apo qartësia etj– të mos ishte vetëm rezultat i historisë sonë personale, por edhe një pasqyrim i vibrimeve të kozmosit?
Ndaj një pjesë nga fjalët e C. Niederkofler:
“Ka gjithnjë e më shumë dëshmi që sugjerojnë një lidhje të thellë mes fushave gjeomagnetike dhe mirëqenies sonë psikike. Por mediat, kur flasin për këto fenomene, ndalen zakonisht tek pasojat praktike: ndërprerjet e energjisë, problemet me satelitët, tërmetet, vullkanet. Rrallë përmenden efektet e imëta – dhe shpesh tronditëse – që luhatjet gjeomagnetike mund të kenë mbi mendjen dhe emocionet tona.
Në një epokë ku shkenca dhe teknologjia ecin me hapa gjigandë, rrezikojmë të harrojmë diçka thelbësore: lidhjen e padukshme, por të fuqishme, mes universit të jashtëm dhe jetës sonë të brendshme.
Dieter Broers, shkencëtar vizionar dhe i vlerësuar nga Bert Hellinger, na fton të shohim me sy të rinj ato fenomene kozmike që zakonisht i marrim si të mirëqena. Për shembull, stuhitë diellore të fundit nuk janë vetëm spektakël astronomik, por ndikojnë drejtpërdrejt në ekuilibrin tonë të brendshëm, duke prekur mendimet, emocionet dhe gjendjen shpirtërore.
Studimet e profesor Franz Halberg dhe intuitat e Alexander Chizhevsky sugjerojnë që ajo që ndjejmë mund të jetë jehona e vibrimeve kozmike. Aktiviteti i lartë gjeomagnetik shpesh shoqërohet me rritje të ankthit dhe çrregullimeve psikologjike.
Përjetimet tona të brendshme janë të ndërthurura ngushtë me ritmet e natyrës dhe universit.
Ngjarje si tërmetet apo shpërthimet vullkanike nuk ndikojnë vetëm fizikisht – ato prekin edhe rezonancat tona të brendshme.
Aktiviteti diellor, ndryshimet në fushën gjeomagnetike të tokës, rezonancat planetare – të gjitha këto na prekin, na formësojnë, na thërrasin.
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë njerëz po zbulojnë sërish këtë të vërtetë: ajo që ndodh jashtë, nuk është e ndarë nga ajo që ndodh brenda nesh. Tërmetet nuk lëkundin vetëm tokën – ato lëkundin edhe ndërgjegjen tonë. Dhe na ftojnë të jemi më të pranishëm, më të vetëdijshëm, më të vërtetë.
Po ne, si i përballojmë këto ndryshime? Si i interpretojmë ato që ndodhin? Vetëdija jonë mund të bëjë diferencën – jo vetëm për rritjen tonë personale, por për zhvillimin kolektiv të njerëzimit.
Por për të përqafuar ndryshimin, nuk mjafton vetëm vullneti i mirë: nevojiten zgjedhje konkrete dhe gatishmëri për të transformuar bindjet tona më të thella. Vetëm atëherë mund të harmonizohemi vërtet me kozmosin – brenda dhe jashtë vetes
Shumë njerëz po flasin për vështirësitë që po përjetojnë në këtë periudhë. Kryesisht emocionale – por edhe fizike (në aspektin e shëndetit) dhe energjitike.
Në fakt, kjo situatë po zgjat prej disa kohësh… Shumë profesionistë të zhvillimit personal e përmendin, por duket sikur interesimi është i vogël – ose më mirë, shumë veta nuk arrin ta përvetësojë atë që thuhet dhe ngelet në një cikël ankese dhe viktimizimi, shpesh duke fajësuar një teknikë apo një tjetër që “nuk funksionon” për ta.
Siç them gjithmonë: “Po të ishte qëllimi ynë si shpirtra të ishim gjithmonë mirë dhe të lumtur, do të ishim atje lart, në dashurinë e pakushtëzuar”.
Por ja që jemi këtu, në tokë, për të bërë përvojë, eksperience. Dhe kjo përfshin edhe të mos ndjehesh mirë, të jesh poshtë… dhe duhet të mësojmë të qëndrojmë me atë ndjesi, pa u përpjekur menjëherë të ikim prej saj. Është e natyrshme dhe ajo. Është pjesë e jetës.
Po ju, çfarë bëni për të qenë ndryshimi që doni të shihni në botë? (siç thoshte Gandhi i madh)
Puna e rritjes së brendshme që bëjmë me konstelacionet, për shembull, nuk nis me një frustrim, një nevojë apo dëshirë dhe mbaron pas një ore seance me një fund të lumtur.
Ajo duhet të integrohet me veprime të përditshme, me forcë vullneti.
Dhe jo gjithmonë rezultati është ai që presim apo shpresojmë.
Prandaj, sa të rritur jemi për të pranuar diçka ndryshe nga ajo që egoja dëshiron për ne?
Sa të gatshëm jemi ta lëmë shpirtin të na udhëheqë drejt përvojave që ka nevojë të jetojë?
Rritja e brendshme është shumë e vështirë! Nuk është një shëtitje në park, siç duan ta paraqesin disa.
Dhe është thellësisht subjektive. Është ndryshe për secilin prej nesh – dhe është një udhëtim i vetmuar. Prandaj, mos u krahasoni me askënd!
Konstelacionet dhe mjetet e tjera janë vetëm dera që hapet. Ky është fillimi – jo fundi.
Pjesën tjetër duhet ta bësh vetë – me forcën tënde, me guximin për të shkuar “pak më tej” për të eksploruar botë të panjohura pas asaj dere.
Por në majë – apo në thellësinë më të thellë – duhet të mbërrish vetë, sepse askush, ASNJËRI, nuk mundet dhe nuk duhet të hyjë në shtëpinë e shpirtit tënd.
Udhëtim të mbarë për të gjithë ne!
Migena Kadëna

